Ndihma

O Perëndia im! Të kërkoj Ty, për Emrin Tënd më të lavdishëm, të më ndihmosh në atë që do t'i bëjë punët e shërbëtorëve të Tu të përparojnë dhe qytetet e Tua të lulëzojnë. Me të vërtetë, Ti ke pushtet mbi të gjitha gjërat!

Bahá'u'lláh

A ka ndonjë Largues të vështirësive veç Perëndisë? Thuaj: Lëvduar qoftë Perëndia! Ai është Perëndia! Të gjithë janë shërbëtorët e Tij dhe të gjithë u përmbahen urdhrave të Tij.

Báb

Thuaj: Perëndia është i mjaftueshëm në gjithçka e mbi gjithçka, dhe asgjë në qiell ose mbi tokë, por veç Perëndia, është i mjaftueshëm. Me të vërtetë, Ai është në Vetvete Njohësi, Mbështetësi, i Gjithëfuqishmi.

Báb

O Zot! Për të të ardhur keq jemi ne, dhurona favorin Tënd; të varfër jemi, jepna një pikë nga oqeani i pasurisë Sate; të skamur jemi, plotësona nevojat; të poshtëruar jemi, jepna lavdinë Tënde. Shpendët e ajrit dhe egërsirat e fushës marrin çdo ditë ushqimin prej Teje dhe të gjitha qëniet gëzojnë kujdesin dhe dashamirësinë Tënde.

Mos ia moho këtij të dobëti mirësinë Tënde të mrekullueshme dhe siguroja me fuqinë Tënde këtij të pashpresi bujarinë Tënde.

Jepna bukën tonë të përditshme dhe dhurona shtesën Tënde në nevojat e jetës, që të mos jemi të varur prej askujt veç Teje, që të lidhemi tërësisht me Ty, të ecim në rrugët e Tua dhe të shpallim misteret e Tua. Ti je Fuqiploti, Mirëdashësi dhe Dhënësi i gjithë njerëzimit.

'Abdu'l-Bahá

O Zot, Perëndia im! Ndihmoji të dashurit e Tu të jenë të vendosur në Besimin Tënd, të ecin në rrugët e Tua, të jenë të qëndrueshëm në Kauzën Tënde. Jepu atyre hirin Tënd për t'u qëndruar sulmeve të vetes e të pasionit, për të ndjekur dritën e udhëheqjes hyjnore. Ti je i Pushtetshmi, i Hirshmi, i Vetëqenëshmi, Dhuruesi, i Dhembshuri, i Gjithëfuqishmi, Bujariploti.

'Abdu'l-Bahá

O Ti, sprovat e të Cilit janë ilaç shërues për ata që ndodhen pranë Teje, shpata e të Cilit është dëshira e zjarrtë e të gjithë atyre që të duan Ty, heshta e të Cilit është dëshira më e shtrenjtë e atyre zemrave që digjen për Ty, urdhri i të Cilit është e vetmja shpresë e atyre që e kanë njohur të vërtetën Tënde! Unë të përgjërohem për ëmbëlsinë Tënde hyjnore dhe për shkëlqimin e lavdisë së Fytyrës Sate, të na dërgosh nga streha Jote atje lart atë që do të na japë mundësi të avitemi pranë Teje. Bëj, pra, O Perëndia im, që këmbët tona të qëndrojnë të patundura në Kauzën Tënde, dhe ndriçoji zemrat tona me shkëlqimin e dijes Sate, dhe ndriti gjokset tanë me ndriçimin e emrave të Tu.

Bahá'u'lláh

"Jini të duruar në të gjitha kushtet dhe mbështeteni tërësisht besimin e shpresën tuaj te Perëndia." Bahá'u'lláh, Qëmtime 136