Agjërimi

"…ky agjërim trupor është një shenjë e jashtme e agjërimit shpirtëror; është simbol i vetëpërmbajtjes, i të përmbajturit të vetvetes nga të gjitha orekset e Unit, duke marrë karakteristikat e shpirtit, duke u rrëmbyer nga frymëmarrjet e qiellit dhe duke marrë zjarr nga dashuria e Perëndisë." Bahá'u'lláh, Kitab-i Akdas

Lëvduar qofsh Ti, O Zot, Perëndia im! Unë të lutem për këtë Revelacion që e ktheu errësirën në dritë, me anë të së cilës Tempulli i Frekuentuar u ndërtua dhe Tabela e Shkruar u revelua, dhe pergamena e shpalosur u zbulua, të dërgosh këtu poshtë mbi mua e mbi ata që janë në shoqërinë time atë që do të na bëjë të aftë të fluturojmë në qiejt e lavdisë Sate të lartë, që do të na spastrojë nga njollat e mëdyshjeve të tilla, që i kanë penguar ata që dyshojnë të hyjnë në faltoren e unitetit Tënd.

Unë jam, O Zoti im, ai që mbahet fort pas fillit të dashamirësisë Sate dhe kapet pas cepit të mëshirës e të favoreve të Tua. Cakto për mua dhe për të dashurit e mi të mirat e kësaj bote e të botës që do të vijë. Dhuroju, pra, atyre Dhuntinë e Fshehur që Ti ke caktuar për krijesat e Tua më të zgjedhura.

Këto janë, O Zoti im, ditët në të cilat Ti i ke urdhëruar shërbëtorët e Tu të zbatojnë agjërimin. Lum ai që e zbaton agjërimin tërësisht për hatrin Tënd dhe me shkëputje të plotë nga gjithçka veç Teje. Më ndihmo mua dhe ndihmoji ata, O Zoti im, që të të binden Ty dhe të zbatojnë porositë e Tua. Ti, me të vërtetë, ke pushtet të bësh atë që mendon.

Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit. Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i të gjitha botëve.

Bahá'u'lláh

O Providencë Hyjnore! Edhe pse unë po përmbahem nga dëshirat trupore dhe nuk po ha e nuk po pi, megjithatë pastroma e çliroma zemrën nga dashuria për cilindo qoftë veç Teje, ruama e mbroma shpirtin nga dëshirat e liga e nga tiparet djallëzore, në mënyrë që shpirti im të bashkohet me frymëmarrjen e shenjtërisë dhe të përmbahet nga përmendja e gjithçkaje veç Teje.

'Abdu'l-Bahá

Lutje e gjatë për Agjërimin

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Shenjën Tënde të fuqishme dhe për revelimin e hirit Tënd midis njerëzve, të mos më flakësh tutje nga porta e qytetit të pranisë Sate dhe mos i zhgënjesh shpresat që kam mbështetur në manifestimin e hirit Tënd midis krijesave të Tua. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Zërin Tënd më të ëmbël dhe për Fjalën Tënde më të lartësuar, të më afrosh gjithnjë e më pranë pragut të portës Sate dhe të mos lejosh që unë të mërgohem larg hijes së mëshirës Sate dhe tendës së bujarisë Sate. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për shkëlqimin e ballit Tënd të shndritshëm dhe për vezullimin e dritës së fytyrës Sate, që ndrit nga horizonti më i lartë, të më tërheqësh me aromën e veshjes Sate dhe të më bësh të pi nga vera e zgjedhur e fjalës Sate. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për flokët e Tu që lëvizin mbi fytyrën Tënde, ashtu si penda Jote më e lartësuar lëviz mbi faqet e Tabelave të Tua, duke shpërndarë aromën e myshkut të kuptimeve të fshehta mbi mbretërinë e krijimit Tënd, të më ngresh për t'i shërbyer Kauzës Sate në mënyrë të tillë që unë të mos zmbrapsem dhe as të mos më pengojnë pëshpëritjet e atyre që kanë nxjerrë yçkla për shenjat e Tua dhe i kanë kthyer shpinën fytyrës Sate. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Emrin Tënd që Ti e ke bërë Mbretin e Emrave, pas të cilit janë magjepsur të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë, të më bësh të aftë të sodis Yllin e Ditës të Bukurisë Sate dhe të më japësh verën e fjalës Sate. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Tempullin e madhështisë Sate mbi majat më të lartësuara dhe për Tendën e Revelacionit Tënd mbi kodrat më të larta, të më ndihmosh me dashamirësi të bëj atë që vullneti Yt ka dëshiruar dhe që qëllimi Yt ka shfaqur. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Bukurinë Tënde që shkëlqen mbi horizontin e përjetësisë, një Bukuri para së cilës, sapo ajo revelon vetveten, mbretëria e bukurisë përulet me adhurim, duke e madhëruar atë me melodi kumbuese, të bësh që unë të vdes për gjithçka që zotëroj dhe të jetoj për gjithçka që të përket Ty. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Manifestimin e Emrit Tënd, të Shumëdashurit, përmes të Cilit zemrat e atyre që të duan Ty janë djegur dhe shpirtrat e të gjithë atyre kanë fluturuar lart, të më ndihmosh të të kujtoj Ty midis krijesave të Tua dhe të të lartësoj Ty midis njerëzve të Tu. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për fëshfërimën e Pemës Hyjnore të Lotosit dhe mërmërimën e flladeve të fjalës Sate në mbretërinë e Emrave të Tu, të më largosh nga çdo gjë që vullneti Yt e neverit dhe të më afrosh pranë pozitës në të cilën Ai Që është Agimi i shenjave të Tua ka ndritur. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për atë Shkronjë, e cila sapo doli nga goja e vullnetit Tënd, i bëri oqeanet të dallgëzohen, erërat të fryjnë, frutat të dalin, pemët të çelin sythe, të gjitha gjurmët e së kaluarës të zhduken, të gjitha perdet të grisen dhe ata që të janë besnikë Ty të nxitojnë drejt dritës së fytyrës së Zotit të tyre, të Padetyruarit, të më bësh të ditur atë që qëndron e mbuluar në thesaret e dijes Sate dhe e fshehur në koleksionet e Urtisë Sate. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për zjarrin e dashurisë Sate, i cili e largoi gjumin nga sytë e të zgjedhurve të Tu e të të dashurve të Tu, dhe për përkujtimin e lëvdimin e tyre për Ty në orën e agimit, të më numërosh mua ndër ata që kanë arritur atë që Ti ke dërguar me librin Tënd dhe ke manifestuar përmes vullnetit Tënd. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për dritën e fytyrës Sate, që i detyron ata që janë pranë Teje të presin shigjetat e urdhrit Tënd dhe ata që të janë besnikë Ty t'u bëjnë ballë shpatave të armiqve të Tu në shtegun Tënd, të shkruash për mua me Pendën Tënde më të lartësuar atë që Ti ke shkruar për të besuarit e Tu e për të zgjedhurit e Tu. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Emrin Tënd, përmes të cilit Ti ke dëgjuar thirrjen e atyre që të duan Ty dhe psherëtimat e atyre që kanë mall për Ty, dhe për vajin e atyre që gëzojnë afrinë Tënde e për rënkimin e atyre që të janë besnikë Ty, me anë të të cilit Ti ke përmbushur dëshirat e atyre që i kanë mbështetur shpresat tek Ti dhe ua ke plotësuar kërkesat, përmes hirit Tënd e favoreve të Tua, dhe për Emrin Tënd përmes të cilit oqeani i ndjesës është dallgëzuar para fytyrës Sate dhe retë e bujarisë Sate kanë reshur mbi shërbëtorët e Tu, të shkruash për këdo që është kthyer ndaj Teje dhe ka zbatuar agjërimin që Ti ke urdhëruar, shpërblimin e dekretuar për ata që nuk flasin veçse me lejën Tënde dhe që kanë braktisur të gjitha ato që zotëronin në shtegun Tënd e për dashurinë për Ty.

Të përgjërohem Ty, O Zoti im, për Veten Tënde, dhe për shenjat e Tua e provat Tuaja të qarta, dhe për dritën e shkëlqyeshme të Yllit të Ditës të Bukurisë Sate, dhe për Degët e Tua, t'i fshish shkeljet e atyre që janë mbajtur fort pas ligjeve të Tua dhe kanë zbatuar atë që Ti u ke urdhëruar atyre në Librin Tënd. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Bahá'u'lláh

Agjërimi bie gjatë muajit 'Alá' (Lartësi) nga 2 marsi deri në 20 mars inkluzivisht. Gjatë këtyre ditëve asnjë ushqim ose pije nuk duhet përdorur që nga agimi deri në perëndim të diellit. Kjo është kohë lutjesh dhe përtëritjeje shpirtërore. Ata që janë nën pesëmbëdhjetë vjeç, udhëtarët, të sëmurët dhe të drobiturit, gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë gjiri përjashtohen nga Agjërimi.