Vendosmëria në Besëlidhje

Bëji të vendosur hapat tanë, O Zot, në rrugën Tënde dhe forcoji zemrat tona në bindjen ndaj Teje. Ktheji fytyrat tona ndaj bukurisë së Njëshmërisë Sate dhe gëzoji gjokset tona me shenjat e Unitetit Tënd Hyjnor. Stolisi trupat tanë me rrobën e bujarisë Sate, largoje nga sytë tanë vellon e mëkatit dhe na jep kupën e hirit Tënd, që thelbi i të gjitha qenieve të këndojë lavde për Ty para pamjes së Madhështisë Sate. Reveloje, pra, Veten Tënde, O Zot, për të folurit Tënd të mëshirshëm dhe për misterin e Qenies Sate Hyjnore, që ekstaza e shenjtë e lutjes të mbushë shpirtrat tanë - një lutje që do të ngrihet mbi fjalët e germat dhe do ta mbulojë mërmërimën e rrokjeve e të tingujve - që të gjitha gjërat të shkrihen në hiç para revelimit të shkëlqimit Tënd.

O Zot! Këta janë shërbëtorët që kanë qëndruar të vendosur e të patundur në Besëlidhjen Tënde e në Testamentin Tënd, që janë mbajtur fort pas fillit të besnikërisë në Kauzën Tënde dhe janë kapur pas cepit të rrobës së madhështisë Sate. Ndihmoji ata, O Zot, me mirësinë Tënde, mbështeti me pushtetin Tënd dhe forcoji shpatullat e tyre në bindje ndaj Teje.

Ti je Falësi, i Hirshmi.

'Abdu'l-Bahá

O Zoti im dhe Shpresa ime! Ndihmoji të dashurit e Tu që të jenë të patundur në Besëlidhjen Tënde të fuqishme, t'i mbeten besnikë Kauzës Sate të dukshme dhe të zbatojnë porositë që Ti ke shkruar për ta në Librin Tënd të Shkëlqimeve; që ata të bëhen flamuj të udhëheqjes e pishtarë të Kompanisë qiellore, burime të urtisë Sate të pafund dhe yje që tregojnë rrugën e drejtë, duke rrezatuar poshtë shkëlqimin e qiellit hyjnor. Me të vërtetë, Ti je i Pamposhturi, Fuqiploti, i Gjithëpushtetshmi.

'Abdu'l-Bahá

Udhëheqje për ata që shkojnë në rrugë të gabuar

Ne i lutemi Zotit t'i ndihmojë me dashamirësi ata që kanë gabuar rrugë të bëhen të drejtë e të ndershëm, dhe t'i bëjë të kuptojnë shkujdesjen e Tyre. Ai është, me të vërtetë, Bujariploti, Më Zemërgjeri. Mos i pengo shërbëtorët e Tu, O Zoti im, në portën e hirit Tënd dhe mos i dëbo ata nga oborri i pranisë Sate. Ndihmoji ata të shpërndajnë mjegullën e fantazive boshe dhe të grisin perdet e imagjinatave e të shpresave të kota. Ti je, me të vërtetë, Gjithëzotëruesi, Më i Larti. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Fuqiplotit, të Hirshmit.

Bahá'u'lláh