Sprova e Vështirësi

Largoje brengën time me bujarinë e zemërgjerësinë Tënde, O Perëndi, Perëndia im, dhe largoje ankthin tim me sovranitetin Tënd e fuqinë Tënde. Ti më sheh, O Perëndia im, me fytyrën ndaj Teje, në një kohë që hidhërimet më kanë mbuluar nga të gjitha anët. Unë të lutem Ty, O Ti që je Zoti i çdo qenieje dhe që mbulon të gjitha gjërat, të dukshme e të padukshme, për Emrin Tënd, me të cilin Ti ke nënshtruar shpirtrat e zemrat e të gjithë njerëzve, dhe për valët e Oqeanit të mëshirës Sate e për shkëlqimet e Yllit të Agimit të bujarisë Sate, më radhit mua me ata që asgjë, çfarëdo qoftë, nuk i ka penguar t'i kthejnë fytyrat e tyre ndaj Teje, O Ti Zoti i të gjithë emrave e Formues i qiejve.

Ti i shikon, O Zoti im, gjërat që më kanë ndodhur mua në ditët e Tua. Unë të lutem, për Atë që është Ditëburimi i emrave të Tu dhe Vendagimi i atributeve të Tua, të porositësh për mua atë që do të më bëjë të aftë të vihem në shërbimin Tënd dhe të lartësoj virtytet e Tua. Ti je, me të vërtetë, Fuqiploti, Më i Pushtetshmi, Ai që e ka zakon t'u përgjigjet lutjeve të të gjithë njerëzve!

Dhe, së fundi, unë të lutem Ty, për dritën e fytyrës Sate, t'i bekosh punët e mia, t'i shlyesh borxhet e mia dhe t'i plotësosh nevojat e mia. Ti je Ai për pushtetin e për sundimin e të Cilit çdo gjuhë ka dëshmuar dhe që madhështinë e sovranitetin e të Cilit e ka njohur çdo zemër që kupton. Nuk ka asnjë Perëndi veç Teje, Që dëgjon dhe je i gatshëm të përgjigjesh.

Bahá'u'lláh

Unë të përgjërohem, për fuqinë Tënde, O Perëndia im! Asnjë dëm të mos më ndodhë në kohë sprovash, dhe në momente shkujdesjeje drejtoji hapat e mi me anë të frymëzimit Tënd. Ti je Perëndia, Ti e ke në dorë të bësh atë që dëshiron. Askush nuk mund t'i qëndrojë Vullnetit Tënd ose të prishë synimin Tënd.

Báb

O Zot! Ti je Larguesi i çdo ankthi e Davaritësi i çdo të keqeje. Ti je Ai që mërgon çdo brengë dhe çliron çdo skllav, Shpëtimtari i çdo shpirti. O Zot! Jepmë çlirim nëpërmjet mëshirës Sate dhe më radhit mua midis shërbëtorëve të Tu që kanë fituar shëlbim.

Báb

O Zoti im! Ti e di se njerëzit janë të rrethuar me dhembje e fatkeqësi dhe janë të pushtuar nga vështirësi e telashe. Gjithfarë sprovash e sulmojnë njeriun dhe gjithfarë gjëmash të frikshme e godasin atë si kafshim i një gjarpri. Nuk ka strehë e mbrojtje për të, veçse nën krahun e mbrojtjes, të ruajtjes, të kujdesit e të strehës që jep Ti.

O Ti, i Mëshirshmi! O Zoti im! Bëje përkrahjen Tënde parzmoren time, ruajtjen Tënde mburojën time, përunjësinë para portës së njëshmërisë Sate rojen time dhe sigurimin e mbrojtjen Tënde fortesën e vendbanimin tim. Më ruaj nga tundimet e egos e të dëshirës dhe më mbro nga çdo sëmundje, sprovë, vështirësi e gjëmë.

Me të vërtetë, Ti je Mbrojtësi, Mbikqyrësi, Ruajtësi, i Mjaftueshmi, dhe me të vërtetë Ti je i Mëshirshmi i Më të Mëshirshmëve!

'Abdu'l-Bahá

O Zot, Perëndia im dhe Streha ime në hallet e mia! Mburoja ime dhe Tenda ime në mjerimet e mia! Azili e Strehimi im në rast nevoje, dhe Shoku im në izolimin tim! Ngushëllimi im në ankthin tim dhe mik i dashur në vetminë time! Larguesi i dhembjeve të mjerimeve të mia dhe Falësi i mëkateve të mia!

Nga Ti kthehem tërësisht unë, duke t'u përgjëruar me zjarr e me gjithë zemër, mendje e gjuhë Ty, që të më mbrosh nga gjithçka që është kundër vullnetit Tënd, në këtë cikël të unitetit Tënd hyjnor, dhe të më pastrosh prej të gjitha papastërtive që do të më pengojnë të kërkoj, i panjollë, hijen e pemës së hirit Tënd.

Ki mëshirë, O Zot, për të dobëtin, shëroje të sëmurin dhe shuaje etjen përvëluese.

Kënaqe kraharorin ku zjarri i dashurisë Sate digjet përbrenda, dhe ndize flakë të tërin me zjarrin e dashurisë e të frymës Sate qiellore.

Vishi faltoret e unitetit hyjnor me rrobën e shenjtërisë dhe vendos mbi kokën time kurorën e favorit Tënd.

Ndriçoje fytyrën time me shkëlqimin e yllit të bujarisë Sate dhe më ndihmo me dashamirësi për t'i shërbyer pragut Tënd të shenjtë.

Bëj që zemra ime të mbushet me dashuri për krijesat e Tua dhe lejo që unë të bëhem shenjë e mëshirës Sate, simbol i mirësisë Sate, nxitës i harmonisë midis të dashurve të Tu, i përkushtuar ndaj Teje, duke folur për të të kujtuar Ty, duke harruar vetveten, por kurdoherë i vëmendshëm ndaj asaj që është Jotja.

O Perëndi, Perëndia im! Mos i largo prej meje flladet e lehta të faljes e të hirit Tënd, dhe mos m'i moho burimet e ndihmës e të favorit Tënd.

Nën hijen e krahëve të Tu mbrojtës më lejo ta bëj folenë dhe hidh mbi mua vështrimin e syrit Tënd gjithëmbrojtës.

Zgjidhe gjuhën time për të lavdëruar Emrin Tënd midis njerëzve të Tu, që zëri im të ngrihet në kuvendet e mëdha dhe nga buzët e mia të burojë vërshimi i lavdërimeve për Ty.

Ti je, me të vërtetë, i Hirshmi, i Lavdëruari, i Fuqishmi, Ai Që ka në dorë gjithçka!

'Abdu'l-Bahá

I armatosur me fuqinë e emrit Tënd, asgjë nuk mund të më dëmtojë kurrë, dhe me dashurinë Tënde në zemër të gjitha vuajtjet e botës kurrsesi nuk mund të më shqetësojnë.
Bahá'u'lláh
Prayers and Meditations [Lutje dhe Përsiatje], f. 208